Take a fresh look at your lifestyle.

Kushtetuesja e refuzon Presidentin Thaçi

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesen e Presidentit Thaçi drejtuar kësaj të fundit mbi marrëveshjet ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka refuzaur kërkesën e Presidentit Thaçi mbi të drejtat e tij për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, madje në këtë kërkesë drejtuar Kushtetueses ishte tentuar të përfshihet edhe EULEXI me kërkesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi, raporton Koha Ditore.

Rasi ishte iniciuar nga Presidenti Hashim Thaçi mbi arsyeshmërinë se nuk e ka të qartë, se si e parasheh Kushtetuta sa i takon të drejtës kushtetuese të Presidentit për marrëveshje ndërkombëtare dhe letra kredenciale në mes të Kosovës dhe BE-së.

Në këtë drejtim, Presidenti pretendonte se nuk e kishte të qartë nëse Letrat e shkëmbimit mes tij dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, “duhej të ratifikohen në cilësinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve apo duhet të konsiderohen të ratifikuara pas nënshkrimit nga Presidenti, për shkak të ndërrimit të rolit dhe mandatit ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, pasi që tani e tutje do të ketë rol kryesisht këshillëdhënës dhe monitorues”.

Në aktvendimin për papranueshmëri, Gjykata ka thënë se, ky ishte rasti i parë me kërkesë për vlerësim të pretendimit për “konflikt” në mes të kompetencave kushtetuese. Në këtë drejtim, aty sqarohet se juridiksioni i Gjykatës për vlerësim të konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese është i karakterit preventiv, përkatësisht kontroll kushtetues “ex-ante”, por që nuk përjashton as një kontroll kushtetues ex-post.

Kësisoj, Gjykata theksoi kërkesat kushtetuese të parapara me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës, kërkesat ligjore të parapara me nenet 31 dhe 32 të Ligjit dhe ato të parapara me rregullin 68 të Rregullores së punës, si kushte të pranueshmërisë të cilat duhet të përmbushen në një rast të konfliktit të kompetencave kushtetuese. Pas vlerësimit të aplikueshmërisë së tyre në rrethanat e rastit konkret, Gjykata erdhi në përfundimin se, ndonëse rasti ishte paraqitur nga një palë e autorizuar, ai nuk e kishte specifikuar saktësisht se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit. Kjo ka ndodhur përkundër kërkesës së Gjykatës për të qartësuar kërkesën e tij të cilën fillimisht e kishte sjellë në formë të pyetjes kushtetuese në bazë të nenit 84 (9) të Kushtetutës. Sipas Gjykatës, Presidenti, nuk kishte dorëzuar mjaftueshëm informata të dobishme në lidhje me “konfliktin e supozuar” apo të “pretenduar”, e as nuk kishte specifikuar “saktë se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese” të Presidentit dhe Kuvendit.

Burime të Gazetes Koha Ditore tregojnë se kishin raportuar për kërkesën e ndryshuar të presidentit më 15 mars. Presidenti Thaçi kishte marrë udhëzime nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi për ta shpëtuar kërkesën, që lidhet me mandatin e EULEX-it. Këtë e vërtetojnë shkresat dhe letërkëmbimet që ka siguruar “Koha Ditore”. Asnjëri prej 120 deputetëve të Kuvendit nuk kanë dhënë komente për konfliktin e pretenduar të Thaçit. Kjo pasi shkresat u kanë shkuar në kuti, sa kanë qenë në pushim dimëror. Kushtetuesja kishte tentuar ta përfshijë si palë në procedurë, edhe EULEX-in, duke i dhënë mundësinë të japë komente. Por shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopolou, në letrën drejtuar Gjykatës ia ka përkujtuar se ky mision nuk është organ i Kosovës, rrjedhimisht nuk mund të jetë palë në asnjë procedurë e asnjë cilësi në Kosovë.

/GazetaPremium