Take a fresh look at your lifestyle.

Mësohet data se kur do të emërohen antarët e KQZ-së nga presidenti Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur të enjten të emërojë anëtarët e ri të kësaj trupe zgjedhore duke i përfshirë nga dy anëtarë për LDK-në dhe VV-në, transmeton Gazeta Metro.

Kjo erdhi pas reagimit të Ambasadës amerikane në lidhje me bllokimin e KQZ-së.

Me këtë vendim jashtë KQZ-së mbeten Nisma dhe PSD, ndërsa PDK dhe AAK kanë marrë ftesë për nga një anëtar.

Vetëvendisja e ka konfirmuar për KosovaPress se përkundër të gjitha pretendimeve të deritanishme të presidentit Thaçi, se gjitha grupeve parlamentare iu takon nga 1 anëtarë, ata kanë marrë njoftim zyrtar se iu takojnë dy anëtarë në KQZ.

Kandidati për anëtar të KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se presin që të enjten të funksionalizohet kjo trupë ashtu siç e kërkon Kushtetuta.

“Ne sot kemi marrë ftesat për dy anëtarë, ashtu siç na takonin, siç na garanton Kushtetuta e rezultati i zgjedhjeve. Presim që të enjten të funksionalizohet KQZ në mënyrë kushtetuese”, tha Rrustemi.

Ftesë për dy anëtarë në KQZ ka marrë dhe LDK-ja, gjë të cilën e ka konfirmuar Sami Hamiti, i cili tha se bashkë me Florian Dushin do të përfaqësojnë këtë parti në KQZ.

Për një të deleguar në KQZ-së ka marrë dhe PDK-ja, ku Ilir Gashi nga kjo parti u shpreh se ftesa i ka ardhur individualisht dhe nuk ka informacion se kush tjetër prej koalicionit PAN do të jetë anëtar i ri i KQZ-së.

“Sot mua më ka ardhur ftesa individualisht, nuk e di si iu ka shkuar ftesa ndonjë kujt tjetër, por mua personalisht përmes e-mailit më ka ardhur ftesa për të marrë pjesë në ceremoni të betimit të enjten”, deklaroi Gashi për KosovaPress.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se ka informacione se i është shkuar ftesa për t’u betuar të enjten të deleguarit të kësaj partie për KQZ.

Ndërsa, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi ka konfirmuar për KosovaPress se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga presidenti për anëtar të KQZ-së.

Jashtë KQZ-së si duket do të mbetet dhe Nisma Socialdemokrate, pasi deputeti Enver Hoti është shprehur për KosovaPress, se asnjë ftesë nuk ka shkuar në radhët e tyre për anëtarë të ri në KQZ. /gazetametro.net