Take a fresh look at your lifestyle.

Afrimi i ri i Thaçit me Haradinajn dhe largimi Veselit…

Që nga 24 marsi e deri më sot, dy drejtuesit e shtetit, Haradinaj dhe Veseli, nuk janë parë asnjëherë bashkë në publik. Ndryshe ka ndodhur me presidentin Thaçi. I pari i shtetit edhe sot në një far forme tregoi se akujt mes tij dhe Haradinajt sikur kanë filluar të shkrihen. Ai mori pjesë në shënimin e 20 vjetorit të masakrës së Lybeniqit. Kjo ceremoni ishte organizuar nën patronatin e kryeministrit Haradinaj.

Edhe këtu mungoi Kadri Veseli.

Kryekuvendari Veseli duket se ditëve të fundit ka mbetur i vetmuar ose thënë më ndryshe, i anashkaluar, nga dyshja Thaçi-Haradinaj.

Mungesat në tubimet publike ku po marrin pjesë Thaçi dhe Haradinaj, sikur po tregojnë një ‘idhnim’ të Veselit jo vetëm më Haradinajn, por ndoshta edhe me presidentin, shokun e tij të paraluftës, luftës dhe pasluftës.

Hatrimi i Veselit me Haradinajn e ka gjenezën tek deklarimet rreth tarifës ndaj mallrave serbe. Fillimisht ishte Veseli ai që mori bajrakun për vendosjen e tarifës, por pas presionit amerikano-evropian, ai dhe njerëzit e tij dolën kundër Haradinajt duke kërkuar me ngulm pezullimin për 120 ditë.

Kjo deklaratë e nxiti Haradinajn që t’ia thotë disa fjalë “të rënda” në publik atij dhe njerëzve tjerë të politikës si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Megjithatë, Haradinaj këmbënguli dhe vazhdon të mbajë po atë qëndrim të fillimit se taksa nuk pezullohet e as nuk hiqet.

Shtrohet pyetja, a është problemi vetëm i taksës që Veseli është distancuar nga Haradinaj, apo ka edhe diçka më shumë? Këtë përgjigje mund ta marrin në ditët ose javët në vazhdim – Shkuarja në zgjedhje të parakoheshme!

Por, zgjedhjet aktualisht duket se nuk i konvenojnë as pushtetit e as opozitës. PDK-ja e Kadri Veselit dhe LDK-ja e Isa Mustafës janë në proces të zgjedhjeve të brendshme dhe shkuarja në zgjedhje nacionale në këtë kohë nuk është zgjidhja më e mirë. Ndërsa, qarkullojnë zëra se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në shtator, pasi që deri atëherë këto dy parti i përfundojnë proceset e brendshme zgjedhore. As Vetëvendosje nuk është fort e nxehtë për zgjedhje, duke ditur ndarja e PSD-së ka lënë pasoja goxha të mëdha dhe partia e Albin Kurtit ende s’e ka marrë vetën.

Ndoshta aktualisht zgjedhjet do t’i konvenonin vetëm AAK-së së Haradinajt e deri dikur Nismës së Fatmir Limajt. Për PSD-në e Shpend Ahmetit as që bëhet fjalë. Kjo parti është në konsolidim e sipër dhe në shondazhe nuk qëndron mirë. E ka problem kalimin e pragut zgjedhor prej 5 për qind. /Ballkani.info/

allkani.info/