Take a fresh look at your lifestyle.

‘Devollët’ kërkojnë sërish 30 milionët nga Telekomi

Burime të KALLXO.com brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës mësojnë se brenda pak ditësh do të mbahet seanca gjyqësore në të cilën pritet të vendoset në lidhje me vendimin e Arbitrazhit që Telekomin e Kosovës e obligon që kompanisë Z- Mobile t’i paguajë më shumë se 35 milionë euro.

Në seancën e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave në Gjykatën Ekonomike pritet të vendoset për njohjen e vendimit të gjykatës së arbitrazhit me të cilën Telekomi obligohet t’i paguajë z Mobile shumën prej mbi 30 milionë euro, përfshirë kamatën e cila pritet të përcaktohet.

Telekomi humbi arbitrazhin ndaj kompanisë Devolli. Pas kësaj, Telekomi kishte nënshkruar një marrëveshje e cila pas moszbatimit nga Telekomi e ka çuar kompaninë në ngritjen e qështjes së ekzekutimit të borxhit në gjykatë.

Nëse gjykata e Prishtinës vendos për njohjen e vendimit kompania Devolli mund ta dërgojë Telekomin në përmbarim.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.