Take a fresh look at your lifestyle.

Dokumentimi i krimeve të luftës, mision i papërmbushur në Kosovë

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike. Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur.

Megjithatë, dy dekada pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të bëjë dokumentimin e saktë e të plotë të krimeve që kanë ndodhur. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018.

78 ditët e çlirimit

Ish-drejtori i këtij instituti, Ismet Salihu, thotë se instituti, tashmë i mbyllur, ka botuar 9 libra për vrasjet, personat e pagjetur, gjenocidin serb dhe shkatërrimin e monumenteve dhe pasurisë së shqiptarëve.

Megjithatë, Salihu pranon se nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve, por edhe mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme.

Sipas tij, instituti nuk ka mundur të bëjë më shumë pasi nuk është mbështetur nga institucionet, duke shtuar se puna më e madhe është bërë nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.

“Kemi qenë gjashtë persona dhe një teknik, shtatë (punëtorë në institut). Por, nuk na kanë mbështetur, nuk na janë lejuar mjetet të hulumtojmë në terren, çfarë kemi mundur të bëjmë vetë, më shumë në baza vullnetare i kemi bërë ato hulumtime”, thotë Salihu.

Mos-evidentimi dhe mos-publikimi i të dhënave në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, për secilin krim të kryer, sipas Salihut, është krim i dyfishtë mbi viktimat e luftës.

“Për çdo masakër masive, për çdo varrezë masive është dashtë të bëhet një hulumtim i veçantë…, për Mejën, për Izbicën, për Reçakun, për tjerat, dhe me emër e mbiemër dhe me fotografi, të shkruhet dhe të botohen në gjuhën shqipe, angleze por edhe serbe, ashtu që të kenë qasje edhe popullata serbe e Kosovës dhe e Serbisë për ato krime që janë kryer. Mjerisht kjo nuk është bërë dhe nuk ka gjasa të bëhet me këtë qasje që është filluar prej vitit 2011, e posaçërisht tash,” vlerëson ish-drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Edhe Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerëson se institucionet shtetërore të Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm në evidentimin e krimeve të luftës dhe mbledhjen e fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët dhe të mbijetuarit – duke shtuar se punën më të madhe e kanë kryer organizatat e ndryshme dhe shoqëria civile.

Sipas Blakajt, mos-evidentimi i plotë i krimeve dhe mos-mbledhja e dëshmive as dy dekada pas përfundimit të luftës krijon vështirësi të mëdha në këtë proces.

“20 vjet më vonë (pas luftës) është paksa e vështirë të gjinden burimet primare. Shumë dëshmitarë, shumë të mbijetuar më nuk janë në jetë. Për fat të keq, dokumentacione të shkruara ka fare pak. Mirëpo do të duhej që institucionet të jenë më pro-aktive të krijonin një bashkëpunimi më të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të kërkonin nga Tribunali i Hagës, respektivisht tash nga mekanizmi i cili ka trashëguar Tribunalin e Hagës, që të marrë të gjithë arkivin sa i përket lëndëve apo provave që janë administruar atje për rastin e Kosovës dhe gjithashtu të provojë të vendosë një lloj bashkëpunimi me organet e ndjekjes dhe gjyqësisë në Serbi, në mënyrë që të bëhet ndjekja e atyre ndaj të cilëve ka prova se kanë kryer krime në Kosovë,” thekson Blakaj.

Edhe në Ministrinë e Drejtësisë pranojnë se “nuk është bërë mjaftueshëm” për të evidentuar të gjitha krimet e kryera ndaj popullatës civile.

Ministri i këtij dikasteri, Abelard Tahiri, thotë se punën e ish-institutit do ta vazhdojë Departamenti për Drejtësi Tranzicionale, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë – i cili është themeluar vitin e kaluar.

“Tashmë është zgjedhur drejtori i këtij departamenti (Ilir Guta) dhe jemi në funksionalizim e sipër të këtij institucioni. Mendoj se do të jetë një institucion adekuat i cili do të trajtojë çështjet në fjalë që janë mjaft të ndjeshme dhe që po bëhen 20 vjet realisht, dhe si Republikë e Kosovës, nuk kemi arritur të bëjmë mjaftueshëm në grumbullimin e fakteve dhe të dhënave, të cilat e dokumentojnë dhe vënë në pah edhe më shumë krimet, gjenocidin, që janë kryer nga qeveria Serbe në atë kohë, në Kosovë, në vitet 1998-99,” thotë ai.

Pas zgjedhjes Ilir Gutës në pozitën e drejtorit të departamentit, ministri Tahiri thotë se së shpejti do të rekrutohet edhe pjesa tjetër e stafit – rreth 10 persona – të cilët për kohë të pacaktuar do të punojnë në dokumentimin e krimeve të luftës.

“Pra, një plan të tillë (kohor) nuk mund ta kemi, pra se kur mund të përfundojnë, sepse nuk preferojmë që për agjenda të tilla të kemi një përcaktim apo një datë ku mund të themi se do të përfundojë puna e këtij instituti për këtë agjendë, mirëpo kjo do të vazhdojë aq sa të jetë nevojshme. Mendoj që është jashtëzakonisht e nevojshme që për një periudhë të gjatë të arrijmë ta konsolidojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë materiale dhe fakte për krimet që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës, në luftën e vitit 1998-99,” shton ministri Tahiri.

Sipas ministrit të Drejtësisë, instituti i mëparshëm nuk ka pasur strukturë të qartë – siç e parasheh ligji, andaj, sipas tij, është krijuar Departamenti për Drejtësinë Tranzicioanle.

Por, ish drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Ismet Salihu, beson se në vend të mbylljes së institutit, Qeveria e Kosovës është dashur ta forcojë atë me kuadro profesionistë dhe t’i mundësojë hulumtimet në terren.

“Për t’i argumentuar, evidentuar dhe për t’i ruajtur të mos harrohen, urgjentisht, (Qeveria) duhet ta ri-hapë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, dhe, në atë institut duhet të punësohen shkencëtarë, pesë, gjashtë apo shtatë doktorë shkencash që e dinë këtë punë, të fushës penale juridike. Pesë apo gjashtë hulumtues të terrenit, t’u sigurohen kushtet maksimale për punë, në mënyrë që në këto 10 vjetët e fundit të arrihet të evidentohen dhe publikohen këto krime,” propozon Salihu.

Madje, sipas Salihut, pos ri-hapjes së Institutit, pas përfundimit të procesit të evidentimit dhe dokumentimit të krimeve luftës, Qeveria e Kosovës duhet hapë edhe Muzeun e Krimeve të Luftës – ku do të ekspozoheshin faktet dhe dëshmitë e mbledhura.

Ndërkohë, ngecjet në këtë proces kanë ndikuar edhe në gjykimin e krimeve të luftës.

Sipas Bekim Blakajt, kjo ka ndodhur, pasi – për të dënuar dikë – gjykatat kërkojnë prova dhe dëshmi të pamohueshme, e të cilat nuk janë mbledhur.

“Ndjekjet dhe gjykimet penale janë shumë më të komplikuara sesa procesi i dokumentimit. Pra, është shumë më vështirë të procedohen lëndët për krime lufte, sepse aty nevojiten prova të pamohueshme. Ne jemi dëshmitarë që ka pasur denoncime të ndryshme, por jo gjithmonë këto denoncime kanë përfunduar me aktgjykim dënues, pra edhe në rastet kur ka pasur procese gjyqësore. Gjykata duhet të ketë prova të pamohueshme, përtej dyshimit të bazuar që ta dënojë dikë”, thotë Blakaj.

Bazuar në këtë dhe monitorimin e proceseve gjyqësore, Blakaj thotë se numri i të dënuarve për krime lufte është tepër i vogël në krahasim me numrin e viktimave dhe krimeve të kryera.

“Ne i kemi monitoruar gjykimet për krime lufte në Kosovë dhe në shtator të vitit të kaluar kemi publikuar një raport, në bazë të së cilit shihet se vetëm 40 persona në Kosovë janë dënuar për krime lufte – dhe shumica prej tyre janë shqiptarë, në fakt, 35 shqiptarë, 4 serbë dhe një rom. Pra, numri i të dënuarve për krime lufte është jashtëzakonisht i vogël nëse e krahasojmë me numrin e viktimave”.

“Nga ana tjetër, edhe në Serbi ekziston një dhomë speciale për krime lufte, e cila me aktgjykim të plotfuqishëm ka dënuar 15 serbë për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, dhe siç e dimë, Tribunali i Hagës i ka proceduar tri raste ndaj serbëve, ku janë dënuar 6 persona për krime lufte në Kosovë. Pra, numri i të dënuarve është tepër i vogël në krahasim me numrin e viktimave dhe numrin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, vlerëson ai.

Përderisa në gjykatat në Serbi ekziston vetëm një dhomë e posaçme për gjykimin e krimeve të luftës, Kosova ka themeluar një Gjykatë Speciale për krime lufte.

Më herët, gjykimin për krime lufte ndaj civilëve, gjatë viteve 1997-99, e ka bërë edhe Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, në Holandë./REL