Take a fresh look at your lifestyle.

Muhaxhiri: Serbia konfirmoi pafuqinë e saj duke kërcënuar se do ta dërgojë në arbitrazh taksën e Kosovës

Serbia po shqyrton nisjen e arbitrazhit para CEFTA’s për futjen e 100% të taksës nga Kosova, transmeton Gazeta Metro.

Kështu dje ka deklaruar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur interesat serbe.

Për deklaratat e Brnabic ka folur për Gazetën Metro analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri duke e cilësuar kërcënim të Serbisë idenë për ta dërguar në arbitrazh çështjën e taksës.

Muhaxhiri ka thënë se kërcënimi i Brnabic është tentim të synohet ndryshimi i imazhit të pafuqisë instititucionale të Sërbisë në bllokadën aktuale që ka krijuar taksa.

“Kërcënimi i kryeministres Ana Bërnabiq për dërgim në Arbitrazh të vendimit kosovar për taksën ndaj produkteve serbe është tentim që, së paku sipërfaqësisht, të synohet ndryshimi i imazhit të pafuqisë institucionale të Serbisë në bllokadën aktuale të krijuar nga taksa. Lidershipi i Serbisë është shfaqur absolutisht i paaftë para qytetarëve të vet për çfarëdo intervenimi në këto rrethana, pasi është e qartë që edhe suspendimi eventual i taksës do të mund të bëhet vetëm për shkak të presioneve ndërkombëtare”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka shtuar se kjo iniciativë nuk do të këtë asnjë efekt.

“Prandaj, e vetmja mundësi e mbetur për ta zhvendosur vëmendjen nga kjo amulli është sorollatja e zyrtarëve të tyre shtetërorë nëpër korridoret burokratike për ndërtimin e kauzave artificiale, të cilat pastaj do t’i shfrytëzojnë si kartë propagandistike për opinionin publik. Në aspektin konkret, kjo iniciativë nuk do të ketë asnjë efekt”, ka përfunduar Muhaxhiri.

Ndërsa analisti, Ramush Tahiri ka thënë për Gazetën Metro se Serbia mund ta dërgojë në arbitrazh çështjën e taksës së Kosovës ndaj Serbisë, dhe këtë të drejtë e kanë të gjitha shtetet që janë pjesë e organizatës së CEFTA’s, nëse taksa prej 100 përqind ndaj produktëve serbe është në kundërshtim me vendimet e kësaj organizate për tregti të lirë.

“Të drejtë kanë me e dërgu në Gjykatë çështjën e taksës së Kosovës ndaj Serbisë. Dhe secili vend i cili është anëtar i CEFTA’s mundet me dërgu Kosovën në arbitrazh, nëse vendimet janë në kundërshtim me vendimet e CEFTA’s për tregti të lirë. Serbia mund ta dërgojnë çështjën e taksës në arbitrazh, por këtu nuk përfundon gjithçka sepse pastaj mbetët në dorën e Cefta-s se a e shqyrton a jo”, ka thënë Tahiri./gazetametro.net