Take a fresh look at your lifestyle.

Prizrenit i dështon projekti nga Ministria, Haskuka fajëson asambleistët

Të hënën, në mungesë kuorumi, ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi, me propozim të kryetarit të Komunës Mytaher Haskuka.

Pikë e vetme e rendit të ditës të kësaj seance ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të nismës për bashkëpunim ndërkomunal ndërmjet komunës së Prizrenit dhe asaj të Mamushës në fushën e infrastrukturës rrugore. Informon Kallxo.com

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prizrenit, qysh në fillim të saj ishte me probleme e pengesa për rrjedhë normale.

Në seancë nuk u paraqitën aspak asambleistët e LDK-së, subjekt i cili është në koalicion qeveritar në këtë komunë bashkë me Vetëvendosjen dhe NISMA-n.

Por aty munguan edhe disa nga asambleistët e opozitës, por edhe ata që ishin të pranishëm e braktisën mbledhjen.

Në fillim të mbledhjes, drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasemi, dha sqarimet për bashkëpunimin e mundshëm me komunën e Mamushës për projektin e asfaltimit të rrugës Mamushë – Prizren,  që për qëllim ka përfitimin nga skema për financim të projekteve nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Edhe asambleistët nga opozita e lëshuan mbledhjen bashkërisht, por fillimisht shefi i Grupit të Kuvendarëve të PDK-së, Simir Krasniqi, tha se seanca e thirrur është bërë me nguti, dhe ajo nuk është caktuar që t’u shërbejë interesave të qytetarëve.

E Ilir Baldedaj, asambleist nga AAK, i ftoi opozitën që ta lëshojnë mbledhjen e asamblesë, me arsyetimin se mungonte inicuesi i kësaj seance, kryetari Haskuka.

Braktisja e seancës nga opozita e dhe nga subjekti boshnjak NDS, si dhe mungesa e asambleistëve të LDK-së e detyruan kryesuesin, Artan Abrashi, që në mungesë të kuorumit të mbyllë këtë mbledhje.

Për këtë pikë u la të debatohet në seancën e radhës të rregullt të Kuvendit.

Menjëherë pas dështimit të seancën ka reaguar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha që bllokimi i votimit për donacionin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, është kundër interesave të qytetarëve të Prizrenit.

“Për shkak të mospjesëmarrjes së një numri të madh të asambleistëve në Kuvend, Komuna jonë sot ka humbur një donacion në vlerë prej 350,000 Euro nga MAPL. Fjala është për projektin e ndërtimit të rrugës Smaç – Mamushë, ku përfitues kryesorë do të ishin qytetarët e rajonit të Anadrinit dhe tërë komunës Prizrenit”, tha Haskuka.

Haskuka thotë që është krejtësisht e pakuptueshme që projektet infrastrukturore për të cilat komuna e Prizrenit, ka aq shumë nevojë, të bojkotohen nga vetë asambleistët e Prizrenit, të cilët mandatin e kanë marrë nga qytetarët.

Haskuka tha se është i shqetësuar nga sjellja e disa asamblistëve nga subjektet e koalicionit të cilët, sipas tij, i janë bashkangjitur strategjisë opozitare.

“As opozitarizmi e as interesat personale, në asnjë rast nuk guxojnë të jenë mbi interesat e qytetarëve të Komuës së Prizrenit. Të jesh asambleist do të thotë të përfaqësosh interesat e qytetarëve. Veprimet e papërgjegjshme nuk mund të justifikohen ‘’ përfundon reagimin e tij Kryetari Haskuka, në profilin e tij në Facebook.

/GazetaPremium