Take a fresh look at your lifestyle.

Ja si ishte zhvilluar ISIS-i në dekadën e parë, bërthama dhe ideologjia ekstremiste e tyre

Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) ishte një grup terrorist xhihadist, i vetëshpallur si kalifat në territoret që kontrollonte dhe pretendonte autoritetin religjioz mbi të gjithë myslimanët në gjithë botën.

Ai aspironte të marrë nën kontrollin e vet direkt politik sa më shumë rajone të banuara me popullsi myslimane, duke nisur me territoret në rajonin e Levantit (Jordaninë, Palestinën, Libanin, Izraelin, Qipron dhe rajonin Hatay në Turqi), raporton Ballkani.info.

Ky grup ishte formuar dhe ishte mbështetur nga grupe të ndryshme radikale islamike, si dhe një numër i fiseve sunite në Irak.

Më pas, ISIS-i kishte arritur të zgjerohej falë pjesëmarrjes në luftën në Siri, ku arriti sukses të rëndësishëm ushtarak në mars 2013 duke marrë nën kontroll disa qytete siriane.

Në fillim të vitit 2014, po ashtu, kapitalizoi tensionin në rritje midis sunitëve irakianë dhe qeverisë së udhëhequr nga shiitë, duke marrë nën kontroll edhe qytete në Irak.

Ambicia kryesore e grupit terrorist islamik ishte krijimi i kalifatit islamik në gjithë Mesdheun Lindor.

ISIS-i kishte vendosur rregulla ekstreme në zonat që kontrollonte, duke ekzekutuar dhe vrarë qindra persona, derisa kushtet që u ishin imponuar civilëve i ngjanin periudhës së sundimit të talibanëve në Afganistan.

Ata e ndiqnin një interpretim ekstrem antiperëndimor të islamit, duke promovuar dhunën dhe duke i vlerësuar të gjithë ata që nuk pajtohen me interpretimet e tyre si jobesimtarë dhe renegatë.

Po ashtu, ISIS synonte të krijonte një emirat islamik që do të shtrihej në Irak dhe Siri.

Ky vizion ishte ekspansionit dhe synonte të arrihej përmes pushtimit ushtarak, shkruan Ballkani.info.

Stili luftarak i ISIS-it përfshinte terrorizmin, luftën guerile dhe luftën konvencionale.

Prezenca e hershme e strategëve të luftës tregonte se ISIS kishte kuadro ushtarake të periudhës të Sadamit, që njihnin terrenin ushtarak në Irak.

Objektivat kryesore politike që ISIS synonte t’i arrinte përmes fushatës ushtarake ishin:

1. Heqja e kufijve politikë në Irak, Siri dhe në rajon, duke krijuar kushtet për dështimin e qeverive dhe për luftë civile sektare;

2. Krijimin e Kalifatit Islamik, që së pari do të përfshinte Irakun e Sirinë dhe më pas do të zgjerohet më tej. ISIS synonte që të udhëhiqte popullsinë brenda këtij territori;

3. Sjelljen e mbështetësve të vet në botë për të luftuar së bashku dhe për t’u vendosur në territorin e kontrolluar nga ta;

4. Zgjerimin e territorit të kontrolluar dhe lidhjen e tij me komunitetin më të gjerë mysliman. ISIS besonin se janë i vetmi autoritet legjitim që mund të udhëhiqnin xhihadin (luftën e shenjtë), dhe prioriteti i tyre kryesore, përveçse luftimin e jomyslimanëve, e kishin edhe pastrimin gjoja të shoqërisë myslimane. Për shembull, sa i përket konfliktit izraelito-palestinez, ISIS e vlerësonte grupin e Hamasit si renegatë që nuk kanë autoritet legjitim të udhëheqin xhihadin. ISIS e vlerësonte luftimin e Hamasit si hap të parë drejt konfrontimit me Izraelin.

Origjina e Shtetit Islamik, që më parë ishte quajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë”, i kthehet grupeve selefiste xhihadiste, të krijuara nga jordanezi Ebu Musab al-Zarqawi në Irak më 2004 pas ndërhyrjes amerikane atje.

Më vonë, al-Zarqawi ishte vrarë nga forcat amerikane, por gjatë dekadës së parë 2004-2014 këto janë etapat kryesore të zhvillimit të ISIS-it:

2004: Krijimi i grupit Al-Qaeda në Irak (AQI) nga al-Zarqawi, e cila ishte bërthama e ardhshme e ISIS.

Tetor 2006: Krijimi i “Shtetit Islamik të Irakut” (ISI) të udhëhequr nga Abu Bakr al-Baghdadi.

2006-2010: Zvogëlimi i kapaciteteve të ISI, pas burgosjes apo vrasjes së 34 udhëheqësve më të lartë të kësaj organizate terroriste.

2011: Pas largimit të trupave amerikane, ISI nisi fushatën e shpërthimeve.

2012: AQI nis fushatën e Mureve Shpërthyese me mbi 560 sulme me bombë dhe liroi mbi 500 të burgosur nga burgi Abu Gharaib;

Prill 2013: Al-Bagdadi (udhëheqësi i ri i ISI) bashkohet me grupin xhihadist sirian, Fronti al-Nusra, për të krijuar ISIS.

2013-2014: ISIS merr kontrollin e qyteteve siriane, Raqqa dhe Deir al Zawr, duke likuiduar xhihadistët rivalë.

Janar 2014: ISIS merr kontrollin e dy qyteteve irakiane, Fallujah dhe Ramadi.

Qershor 2013: Baji dhe Tikriti bien nën kontrollin e ISIS.

Qershor 2014: ISIS shpall kalifatin në territoret që kontrollon, duke emëruar si kalif, Abu Bakr al-Baghdadi. /Ballkani.info/