Take a fresh look at your lifestyle.

Çka tha Ibrahim Rugova në Kuvendin e Parë të LDK-së, më 5 maj 1991

Adnan Merovci, një prej bashkudhëtarëvetë disavjeçar i Presidentit Ibrahim Rugova ka vazhduar të shpalosë fakte që ndërlidhen me aktivitetin e Presidentit Rugova prej se e themeloi dhe mori drejtimin e LDK-së për t’u shndërruar në liderin historik të Republikës së Kosovës.

Në një postim të tij të fundit, të cilin e ka quajtur “veç fakte” Adnan Merovci ka postuar këtë shënim shoqëruar me dy fotografi të asaj kohe.

Shënimi i plotë i z. Merovci:

Veç fakte!
Më: 5 maj 1991, në fjalën përfundimtare të Kuvendit të Parë të LDK-së, z. RUGOVA tha:

“Ky Kuvend tregoi se LDK-ja gjatë kësaj kohe prej një vit e gjysmë ka arritur t’i mobilizojë njerëzit. S’po them popullin, se këtë shprehje po e përdor edhe armiku ynë. Tani jemi në një nivel tjetër. Çdo lëvizje lind me eufori dhe entuziazëm. Organizimit tonë i ndihmuan të gjithë, si ata që demonstruan dhe dhanë jetën e tyre, delegatët e Kuvendit të Kosovës, si dhe ne që u organizuam në LDK. Ne duhet të ndihemi të lirë të shprehemi dhe të kritikojmë, dhe mos të frikohemi nga kjo. Kjo është një vlerë e re. LDK-ja në hapat e parë u ballafaqua me propagandën serbe në planin ndërkombëtar. Ata dolën në pazar para neve, siç thotë populli. Ne duke qenë faktor i brendshëm, u njohëm në botë dhe jemi faktor. Më parë nuk dihej prej nesh. Kemi punuar me faktorin e jashtëm. Ky faktor ka shprehur interesim për ne. Ne në politikë jemi vullnetarë. Populli më tepër është vetorganizuar. Ne kemi bërë punën tonë dhe ende nuk mund të konsiderohemi si parti e mirëfilltë politike. Ne kemi forcën morale të popullit e cila çmohet në botë. Ne jemi në gjendje okupimi, por jemi solidar në mes vete, falë edhe mërgimtarëve tanë në botën e jashtme. Në botë nuk ka shqiptarë të pasur, por ndihmohemi në mes vete. Kemi arritur një kulturë dhe pjekuri politike që u dëshmua edhe në këtë Kuvend. Ne duhet të krijojmë një politikë afatgjatë dhe duhet të jemi të gatshëm të veprojmë në momente të caktuara. Rezistenca paqësore, me mjete politike, ose edhe Gandiane, siç po thuhet, është ide europiane. Tani kemi edhe subjekte të tjera politike, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, dhe duhet t’i kuptojmë drejt këto trendë. Ju falem nderit”.
Foto1: Jakup SHALA, Ibrahim RUGOVA, Adnan MEROVCI.
Foto2: z. RUGOVA gjatë fjalës përfundimtare të Kuvendit të parë të LDK-së.

/GazetaPremium