Take a fresh look at your lifestyle.

LDK: Sovraniteti dhe kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm

Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësoi punimet e djeshme të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

LDK vlerëson të gjitha nismat që kanë qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë.

Në këtë frymë, LDK-ja çmon lart përkushtimin e Gjermanisë dhe të Francës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadrin e BE-së.

Integrimi euro-atlantik i Kosovës, si dhe miqësia e speciale dhe e përhershme me SHBA-të janë procese të pashmangshme dhe ekzistenciale për vendin tonë.

Partia më e madhe opozitare thekson se orientimi properëndimor i Kosovës është thelbësor për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

Kështu kryesia e saj shpreh shqetësimin e thellë për qëndrimin jounik të përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit.

LDK-ja konsideron se qëndrimi jounik reflekton joseriozitet dhe është në dëm të interesit të vendit tonë.

Tutje në komunikatën për media të kësaj partie vlerësohet lartë kërkesën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

Ndër të tjera theksohet edhe një herë se sovraniteti i Republikës së Kosovës, kufijtë e saj dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm.

Pavarësia e Kosovës është finalizuar me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, si dhe me Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

/GazetaPremium