Take a fresh look at your lifestyle.

Kusari-Lila: Sa të jetë Thaçi përgjegjës për dialogun, ideja e ndryshimit të kufijve s’është e vdekur

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se te lidershipi mbarëshqiptarë janë krijuar dy blloqe të mëdha në raport me ndryshimin e kufijve.

Kusari-Lila, në RTV Dukagjini, ka thënë se përderisa presidenti Hashim Thaçi të jetë përgjegjës për dialogun, ideja për ndryshimin e kufirit të Kosovës nuk mund të konsiderohet e tejkaluar.

“Ai është bartës i kësaj ideje. Mos të harrojmë kush e ka plasur në Kosovës idenë e kufijve, kush e ka promovuar në vazhdimësi dhe kush po promovon atë ide”, tha ajo.

Kryetarja e Alternativës, ka thënë se edhe ideja për bashkimin e Preshevës me Kosovën është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

Ajo ka thënë se ka një mungesë të unifikimit të kombit shqiptar sa i përket idesë së kufijve të Kosovës.

“E shohim se në njërën anë e kemi Thaçin dhe Ramën ndërsa në anën tjetër e kemi Haradinajn, Berishën dhe Metën. Pra lidershpi shqiptar në Kosovë e Shqipëri janë të përçarë thellë në raport më atë se cila do të jetë zgjidhja e ardhshme për Kosovën”.

Kusari-Lila ka thënë se PDK-ja nuk po mundet të distancohet nga Presidenti për pozicionin e ndryshimit të kufijve, ndërsa sipas saj, Haradinaj ka pas vetes komplet opozitën në krahë sa u përket çështjes së kufijve.

/GazetaPremium