Take a fresh look at your lifestyle.

BE shuplakë Veselit, nuk e mbështet iniciativën për krijimin e Tribunalit

BE ka bërë me dije se nuk e mbështet iniciativën e Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krijimin e një Tribunali që do të procesonte rastet e krimeve serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës. Zëdhënësja Maja Kocijancic ka thënë se Kosova mund t’i ndjek kryesit e krimeve të supozuara me legjislacionin që e ka në fuqi. Këtë gjë ja ka konfirmuar Gazetes Express zyra e BE-së.

Pikërisht në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka debatuar rreth iniciativës së Kryeparlamentarit kadri Veseli për themelimin e një Tribunali që do të merrej me krimet serbe në Kosovë, në adresë të Gazetës Express ka ardhur një përgjigje nga Brukseli ku thuhet se BE nuk është e involvuar në këtë çështje.

Zëdhënësja maja Kocijancic ka thënë për Gazetën se gjatë fundjavës ka pasur “keqkuptime në raportim” duke aluduar në disa lajme të publikuara në Kosovë se BE mbështet krijimin e Tribunallit.

“Pasi që kemi parë disa keqkuptime në raportim, na lejoni që menjëherë të qartësojmë se Bashkimi Europian nuk është I involvuar në inicitivën e fundit që ka dalë në Kuvendin e Kosovës për ta themeluar një Tribunal të ri” thuhet në përgjigjet e dërguara në adresë të Gazetës Express nga Maja Kocijancic, Zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BEsë.

Ajo më pas ka theksuar se krimet serbe mund të ndiqen  duke u bazuar në legjislacionin aktual që është në fuqi në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se korniza legale ekzistuese jep mundësi të duhura për hetim dhe ndjekie të krimeve të supozuara në Serbi dhe Kosovë  duke u bazuar në jurisdiksionet respektive” thuhet më tej në përgjigje.

Kocijancic ka thënë se për këtë duhet më shumë fokus dhe përcaktim.

Kocijancic më të tej ka shtuar se BE konsideron  se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunimi kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës. 

“Ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima dhe familjet e tyre në kërkim të drejtësisë dhe njohjes së vuajtjeve të tyre. Të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret dhe të vërtetë”, ka shtuar ajo.

“Udhëheqësit politikë në rajon duhet të kontribuojnë në stabilitet, pajtim dhe një klimë të favorshme për adresimin e çështjeve të hapura bilateral dhe trashëgiminë e së kaluarës. Kjo po ashtu përfshin shmangien dhe dënimin e çfarëdo deklarate apo veprimi që do të nxiste tensionet ndëretnike”, ka  përfunduar zëdhënësja.

/GazetaPremium