Take a fresh look at your lifestyle.

Haradinaj për Samitin e Parisit: Kosova i ka qëndrimet e veta, mund të ketë shtyrje

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se Kosova i ka qëndrimet e veta për temat që priten të diskutohen në Samitin e Parisit, i cili pritet të mbahet më 1 korrik, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ai tha se mund të ndodh që Samiti i Parisit të shtyhet nëse përgatitjen nuk janë bërë sic duhet.

“Nëse përgatitjet shkojnë mirë me siguri do të mbahet, nëse përgatitjet nuk janë mirë mund të ndodh që të shtyhen. Kosova i ka qëndrimet e veta për temat. Jemi mirë të ndërtuar”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur për rastin e lirimit nga detyra të këshilltarit politik, Branislav Nikoliqin, nga presidenti Hashim Thaçi, ai tha se, “nuk mund të thërrasim Këshillin e Sigurisë, vetëm pse dikush e ka nxjerr një lajm. Ne jemi duke ndjekur procedurat në këto raste”.

Ndërsa sa i përket vendimit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për largimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë, Haradinaj tha se nuk mund të komentoj vendime të kryetarëve të partive politike.

“Çdo vendim i ka arsyet e veta. Nuk komentoj vendimet e kryetarëve të partive. Jam vet kryetar partie. Dhe secila parti i ka specifikat dhe mënyrat e veta të punës. P.sh në AAK është e vetmja parti që ka paraparë kodin etik, i cili me argumente merr vendime në çka bazohet. Nuk kam të drejtë të komentoj vendimet e Veselit”, tha ai.

/GazetaPremium