Take a fresh look at your lifestyle.

Skandal në gjykimin ndaj Azem Sylës zbulohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur

Në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Toka”,në fjalën hyrëse, prokurori special Naim Abazi ka përmendur emrat e dëshmitarëve të mbrojtur edhe pse seanca ishte e hapur për publikun.

Emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të cilët prokurori special Naim Abazi i përmend gjatë seancës në fjalën e tij hyrëse në seancë publike, redaksia e KALLXO.com nuk i publikoi pasi sipas Ligjit të njëjtit janë të mbrojtur dhe publikimi i tyre përben shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mospërfillje të gjykatës. Njofton Kallxo.com .

Në të njëjtin rast gjyqësor, Prokuroria e Prishtinës kishte inicuar një procedurë penale ndaj avokatit Tomë Gashi, për shkak të dyshimeve për shkelje së fshehtësisë së procedurës dhe mospërfillje të gjykatës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Prishtinës avokati Tomë Gashi dyshohej se kishte zbuluar konfidencialitetin duke zbuluar identitetin e një personi të mbrojtur në rastin e njohur si “Toka“, duke përmendur emrin e tij para mediave ndonëse gjykatësi i rastit seancën e kishte mbyllur për mediat dhe publikun.

Në këtë shqyrtim gjyqësor gjatë fjalës hyrëse prokurori special Naim Abazi në mesin e dëshmitareve të cilët deklaroi se do t`i ftojë me kusht që të vërë në pah fajësinë e të akuzuarve, ka përmendur emrin e dëshmitarit të mbrojtur A.A.  dhe N.N.

“Në këtë rast do të dëgjohen edhe dëshmitaret e mbrojtur A.A. dhe N.N. Rëndësi e veçantë është dëshmia e A.A., dhe besueshmëria e të cilave deklarata është e padiskutueshme ngase ato janë vlerësuar edhe nga instancat më të larta të kësaj gjykate”, tha prokurori.

I kontaktuar nga KALLXO.com prokurori Abazi nuk ka dhënë përgjigje të saktë nëse dëshmitari është bashkëpunues apo i mbrojtur. “Nuk e di saktë për shkak të numrit të madh të shkresave po do e saktësojmë ditëve në vijim”, ka thënë prokurori Abazi. I pyetur nëse është në dijeni për aktakuzën që i është ngritur avokatit Tomë Gashi për zbulimin e emrit të dëshmitarit të njëjte në këtë rast Abazi ka thënë se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. Abazi është arsyetuar se emri i dëshmitarit është në aktakuzën e ngritur nga prokurori dhe ajo është publike.

Gjykatësi i rastit Beqir Kalludra nuk ka dashur të flasë nëse në seancën e tij kishte shkelje kur u përmend publikisht emrat e dëshmitarëve

Mbrojtësit në këtë rast Berat Tmava dhe Gëzim Kollqaku nuk kanë ditur saktë nëse dëshmitarët janë dëshmitarë bashkëpunues apo të mbrojtur.

Tmava i ka thënë KALLXO.com se dëshmitari është i mbrojtur ndërsa Kollqaku ka thënë se është dëshmitarë bashkëpunues.

Procesi: 

Në fjalën e tij hyrëse, prokurori special Naim Abazi deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor përmes fakteve dhe provave që do t’i paraqes do të vërtetohet se grup kriminal përmes veprimeve kriminale dhe pastrimit të parave kanë fituar toka.

“Në këtë rast do të vërtetohet se ky grup ishte i lidhur ngushtë me grup kriminal, ku disa anëtarë të grupit kishin fituar toka në bazë të blerjes false dhe pastrimit të parave. Prokuroria në këtë drejtim për veprat penale do të nxjerr në pah rolet e individëve kriminal për secilin të pandehur”, tha prokurori Naim Abazi.

Sipas dosjes së Prokurorisë ky grup kishte marrë aktvendime origjinale nga familjet serbe, pastaj dosjet i kishin ndryshuar në dokumente të falsifikuara.

Prokurori Abazi poashtu tha se gjatë procesit gjyqësor do të  vërtetohet se grupi kishte korruptuar edhe njerëz- zyrtarë në Gjykatat e Kosovës.

“Do të vërtetohet padyshim se grupi për qëllimet e  veta kriminale ka korruptuar disa prej zyrtarëve në gjykatat e Kosovës dhe në zyrën kadastrale, dhe atë në një bazë të qëndrueshme afatgjate kanë korruptuar figura kryesore që kishin menaxhim të plotë ndaj këtyre zyreve”, tha Abazi.

Tutje prokurori Naim Abazi deklaroi se ky grup kriminal shiste parcelat të tokës në njërën anë duke i transferuar të gjitha tokat tek anëtarët e grupit në baza miqësore, personale ose të biznesit.

Sipas prokurorit special disa nga anëtaret e grupit ato toka ua kishin shitur drejtpërdrejtë palëve të treta, ku për secilin rast shumica e palëve të treta, ishte në dijeni se këto prona ishin prona të fituara prej krimit, prejardhjes së paligjshme po se kishte edhe raste kur blerësit kishin qenë me mirëbesim.

Në fund të fjalës hyrëse prokurori deklaroi se është i bindur se të pandehurit do shpallen fajtor dhe se për veprimet e tyre inkriminuese do ta marrin dënimin e merituar.

Kurse mbrojtësi  i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha tha se e gjithë akuza ndaj klientit të tij është e mbështetur në dëshminë A.A.

“E gjitha aktakuza mbështet në dëshminë e një krimineli të dënuar, e instruktuar jo vetëm nga kjo prokurori, por siç u kuptua publikisht edhe në mjetet e publikimit a kish marr instruksione në shërbimin informativ të Serbisë. Ky dëshmitar kriminel që ka pranuar krimin çdo herë për të marr benificione për t`u mos u ndëshkuar asnjëherë, ky ishte A. A., që këta parashtroj me kryqëzu dhe dënu Azem Sylën në emër të dëshmisë së tij”, tha Berisha.

Për A. A., avokati Berisha tha se ai kishte qenë dëshmitar i paguar ndër vite vetëm për ta përmendur emrin e Azem Sylës.

“Mjetet e informimit  na njoftuan edhe shpalosën material edhe audio incizime, kur dëshmitari i paguar i trajnuar  me vite dhe ndër vite përmend dhe lakon emrin e Azem Sylës. Pse zgjodhi emrin e Azem Sylës, A. A., natyrisht se si shef shtabit te UÇK-së në atë kohë nuk pritet dhe nuk presim se A. A. të kishte një qasje tjetër, si agjent jo vetëm i shërbimit të Serbisë, A. A. si dëshmitar i tyre kyç që prokurori parashtron se do të mbështetet dhe do jetë dëshmi e besueshme do të provohet se edhe në” Bllacën 1” edhe “Bllacën 2”, vazhdimisht ka provuar me inkriminuar Azem Sylën, dikur për vrasje, dhe kur dështoj në të parën e inkriminoj ose deklaroj kundër Sylës për manipulim me prona”, tha Berisha.

Në fund avokati Berisha deklaroi se në rast se ky proces gjyqësor do të zhvillohet drejtë dhe në mënyrë të paanshme i mbrojturi i tij, Azem Syla do të shpallej i pa fajshëm.

“Me një gjykim të drejtë, objektiv, e të paanshëm, të pa ndikuar qoftë nga jashtë e qoftë nga brenda, zoti Syla jam i bindur se në fund këtij procesi nuk do të shpallet fajtor”, tha avokati Besnik Berisha.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë e dhanë fjalën hyrëse. Po thuajse shumica e mbrojtësve deklaruan se mbesin pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin paraprak, të njëjtit Gjykatës në formë të shkruar ia dorëzua fjalën hyrëse, përcjell Gazeta Premium.

Por gjatë zhvillimit të kësaj seance gjyqësore nga salla e gjykatës është larguar i akuzuari Shaban Syla, ndërsa arsyeja e largimit të tij ishte sepse i njëjti disa herë kërkoi nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra që të lirohej nga gjykimi për shkaqe shëndetësore.

“Unë nuk mundem me vazhdu, e nëse ti don me më pushkatu këtu, unë jam i sëmurë, i kom gjashtë stenta, plus jam me diabet edhe me tension, unë nuk mundem me nejt ma në sallë”, tha i akuzuari Shaban Syla.

Mirëpo  kryetari i trupit gjykues i tha të akuzuarit se “përderisa ai nuk posedon ndonjë dëshmi për gjendjen e tij shëndetësore ai nuk mund ta liroj nga salla”. Por pasi që i akuzuari në vazhdimësi ndërhynte me kërkesën që ta lironte sallën, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra morri aktvendim që të akuzuarin ta largoj nga salla për shkak të pengimit të vazhdueshëm gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.

Seanca e radhës do të mbahet me datë  5 shtator.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla  dhe të akuzuarit tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Poashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

/GazetaPremium