Take a fresh look at your lifestyle.

Shpend Ahmeti humb mundesinë për Sallë Koncertale, BE ja tërheq fondet

Prishtinë, 11 korrik – Prishtina e ka humbur mundësinë që t’i shfrytëzojë 15.4 milionë euro për sallën koncertale. Bashkimi Evropian mjetet e zotuara në kuadër të fondeve IPA do t’i ridestinojë.

Kësisoj Shpend Ahmeti ka humbur mundësinë sivjet të nisë realizimin e një projekti, që do t’i sillte kryeqytetit për herë të parë një sallë koncertale.

Por humbja e mjeteve të zotuara shihet edhe si problem politik. Për Komunën e Prishtinës është Ministria e Integrimeve ajo që e ka sjellë gjendjen deri këtu. Sipas Komunës, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, nëpërmjet një letre, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që 15.4 milionët e zotuar të ridestinohen,  shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa vetë ministrja Hoxha e ka mohuar një letër të tillë, ajo e ka konfirmuar ridestinimin e mjeteve në projektin Kosova A, sipas saj, kjo ka ndodhur për shkak të neglizhences së Komunës së Prishtinës për të gjetur lokacionin për Sallë Koncertale, gjë që e bën të pamundur zhvillimin e këtij projekti.

Sipas Koha.net të cilët kanë kontakruar zyren e BE-së në Prishtinë, Zëdhënësja Dinka Zhival ka thënë se i duhet kohë ta konfirmojë këtë dhe ka thënë se do të përgjigjen të enjten.

Autoritet qendrore dhe ato lokale nuk kanë qenë asnjëherë të koordinuara për këtë projekt. E pas një viti diskutimesh e debatesh, epilogu ka dalë të jetë negativ. Komuna e Prishtinës nuk ia ka dalë që as me donacione ta nisë ndërtimin e objektit kulturor.

Muajin e kaluar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njoftoi se i është dashur të anulojë një projekt prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë. Krejt kjo ndodhi pasi autoritetet vendore nuk gjetën lokacion për këtë deponi.

/GazetaPremium