Take a fresh look at your lifestyle.

Jo vetëm në Kosovë, edhe ky shtet po bën thirrje për zgjedhje

Lideri i Partisë italiane, Liga, Matteo Salvini, ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se dallimet brenda partnerëve të koalicionit, nuk mund të tejkalohen.

Një tentim i dështuar i Lëvizjes Pesë Yjet për të prishur planet rreth një autostrade, ka treguar se ky koalicion nuk mund të qeverisë më, ka shtuar ai.

Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio, ka thënë se partia e tij nuk frikësohet nga zgjedhjet e reja.

Bazuar në sondazhe, partia e Salvinit gëzon dukshëm më shumë përkrahje, kryesisht për shkak të qasjes së tij kundër migrimit ilegal.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Lëvizja Pesë Yjet ka fituar dy herë më shumë vota sesa Partia Liga, mirëpo sondazhet parashikojnë se gjendja tani është ndryshe.

Giuseppe Conte, profesori apartiak që shërben si kryeministër i koalicionit, ka thënë se Salvini duhet ta arsyetojë para Parlamentit thirrjen e tij për zgjedhje.

Përplasjet politike për një projekt të një autostrade që do të lidhte qytetin italian, Turin dhe atë francez, Lion, kanë shtyrë kryeministrin Conte që të pezullojë për pak kohë tenderët.

Kjo lidhje që do të kushtonte disa miliarda euro, përfshin edhe hapjen e një tuneli 56 kilometra nën Alpe.

Andaj, ky plan është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Pesë Yjet si për shkak të çështjeve të lidhura me ambientin, ashtu edhe ato financiare.