Take a fresh look at your lifestyle.

Dëbimi i shtetasve turq, ngritet kallëzim penal ndaj 22 policëve

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj 22 zyrtarëve policor në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj 22 zyrtarëve policor në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, aksion i cili kishte ndodhur para më shumë se një viti. Këtë gjë për mediat vendore e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale Ekrem Lutfiu.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë Lutfiu.

Edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar ngritjen e kallëzimit penal ndaj 22 policëve.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve,lidhur me rastin dëbimit të shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi,  bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ky kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit drejtuar mediave.

Ndryshe në mars të vitit të kaluar, autoritetet kosovare me kërkesë të autoriteteve turke, patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.
Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni.

Po ashtu edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar për mos marrjen e masave adekuate ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, duke vlerësuar se “presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike”.

Lidhur me këtë më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Kujtojmë që në këtë rast ishin të përfshirë në formë direkte edhe drejtori i atëhershëm i Policisë Shpend Maxhuni si dhe ish-drejtori i AKI-së Driton Gashi, por as Inspektorati policor dhe as Prokuroria Speciale nuk ka treguar se a jane edhe z.Shpend Maxhuni dhe z. Driton Gashi, pjesë e kallximit penal të ngritur nga Inspektorati i Policisë.

/GazetaPremium