Take a fresh look at your lifestyle.

Diplomati Daniel Serwer: Presidenti Thaçi ka “skaduar…”

Qeveritë e pesë shteteve të fuqishme i kërkuan Kosovës dhe Serbisë që menjëherë ta vazhdojnë dialogun. Kështu nuk mendon Daniel Serwer, i cili për Express ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ngutet dhe se duhet ta zgjedhë një Qeveri të re pasi ka një kryeministër në detyrë dhe një njeri të skaduar si president. Njofton Gazeta Blic.

Pesë fuqitë (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të heqin çdo pengesë dhe menjëherë të vazhdojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin e Uashingtonit “John Hopkins”, thotë se ai nuk sheh asnjë nevojë për t’u ngutur.

“Nuk di ndonjë arsye të mirë për ngutje tani. Kosova është në një gjendje të dobët me një kryeministër në detyrë dhe me një president të skaduar”, ka thënë Serwer.

Deklaratën që shtetet e QUINT-it e nxorën ditë më parë theksohej që institucionet kosovare dhe ato serbe nuk duhet në asnjë mënyrë të ndërmarrin veprime që e vonojnë fillimin e dialogut. Partitë, me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, janë deklaruar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

E derisa QUINT-i kërkon që tani të vazhdojnë bisedimet, Serwer thotë se Kosova para kësaj duhet të ketë një qeveri të re dhe një platformë të qartë mbi dialogun.

“Natyrisht që Kosova duhet të ketë një qeveri të re me platforma të pastër mbi marrëdhëniet me Serbinë, para se dialogu të nisë prapë”, ka thënë ai.

Në deklaratën e qeverive të shteteve të QUINT-it nuk përmenden zgjedhjet, as qeveria e re, mirëpo ato duan që të mos veprohet asgjë që vonon dialogun.

“Kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse“, thuhet ndër të tjera në komunikatën e QUINT-it të lëshuar të martën.

Derisa kjo u komentua si kundërshtim i mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, tha se ajo u lexua gabimisht.

“Çështja e mbajtjes së zgjedhjeve ose jo është krejtësisht e Kosovës”, ka shkruar të mërkurën ambasadori.

/GazetaPremium