Take a fresh look at your lifestyle.

Sot nis Superliga e Kosovës, 3 ekipe do kualifikohen ne Europë. Sa do bien?

Të shtunën edhe zyrtarisht nis edicioni i 27-të i Superligës së Kosovës, që nga pavarësimi i futbollit kosovar.

Sezoni 2019/2020, pritet të jetë ndër më interesantët në kohën e pasluftës, pas disa ndryshimeve nga FFK-ja si dhe përforcimeve të shumta të ekipeve, raporton KTV.

Lufta për titull të kampionit do të shoqërohet edhe për pozitat që dërgojnë në Evropë.

Për herë të parë, tri ekipe nga Kosova, do të marrin pjesë në garat evropiane.

Kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës, do ta përfaqësojnë futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare në verën e vitit 2020.

Përveç kësaj, interesante do të jetë edhe lufta për mbijetesë, pasi nga elita do të largohen katër skuadrat e fundit, në mënyrë që sezonin 2020-2021 të startojë me 10 skuadra.

12 skuadrat e Superligës kanë qenë shumë aktive gjatë afatit kalimtarë të verës, ku në total, janë realizuar mbi 100 transferime.

Edicioni i ri nis të shtunën, me tri përballje në program, kurse të dielën luhen edhe tri të tjera.

Kampioni aktual Feronikeli, misionin e mbrojtje së titullit e nis në shtëpi kundër Drenicës, duel që luhet të shtunën nga ora 17:00.

“Nikli” përveç përforcimeve, në vend të trajnerit Zekirija Ramadani, në krye të ekipit nga Drenasi e ka emëruar trajnerin nga Mali i Zi, Vukiqeviq.

Të shtunën luan edhe nënkampionia Prishtina, e cila e zhvillon derbin e kryeqytetit me Flamurtarin.

Prishtina ka qenë mjaft aktive sa u përket largimeve dhe përforcimeve. Kryeqytetasit kanë sjellë në skuadër futbollistë me përvojë si Ahmed Januzi, Endrit Krasniqi e së fundmi, edhe Labinot Ibrahimin nga Partizani i Tiranës.

Klubi “bardhekaltër” vazhdon t’i besojë trajnerit Mirel Josa, i cili pavarësisht dy dështimeve për të fituar titullin, do t’i prijë ekipit edhe në sezonin e ri.

Sa u përket përforcimeve, aktiv deri diku ka qenë edhe Flamurtari, që krahas transferimit të futbollistëve, ka bërë edhe ndryshime në shtabin teknik, duke e emëruar në krye të ekipit, trajnerin Artim Shaqiri, në vend të Arsim Thaçit.

Llapi i trajnerit Tahir Batatina, të shtunën e pret Vushtrrinë e rikthyer në Superligë.

Llapjanët kanë qenë skuadra më aktive në afatin kalimtar me 15 lojtarë të rinj, si dhe kanë larguar një numër të madh të lojtarëve.

Në anën tjetër, Vushtrria që është rikthyer në Superligë, ka bërë disa blerje në ditët e fundit dhe do të kërkojë të jetë befasia e edicionit të ri me trajnerin, Bekim Shotani.

Të dielën, kampionia e vitit 2018, Drita, në shtëpi e pret Ferizajn.

Gjilanasit kanë bërë shumë ndryshime në ekip, ku janë përforcuar me disa futbollistë cilësor nga Shqipëria e Maqedonia.

Në anën tjetër, duarkryq nuk ka qëndruar as Ferizaj që përveç risive në skuadër, është bërë edhe me pronar anglez.

Në po të njëjtën ditë, në Klinë, Dukagjini i rikthyer në Superligë pas 16 vjetësh dhe shumë përforcimeve, e pret Ballkanin, që po ashtu ka bërë shumë blerje. Njofton Koha.net

Ditën e diel luhet edhe ndeshja, Trepça ’89 – Gjilani.

Për dallim nga mitrovicasit që nuk kanë qenë shumë aktivë, Gjilani ka bërë më shumë se 10 përforcime, duke e transferuar një skuadër të tërë dhe atë, shumica e lojtarëve kanë ardhur nga Shqipëria, prej nga vjen edhe trajneri, Gentian Mezani.

Te gjitha ndeshjet fillojnë në ora 17:00.

/GazetaPremium