Take a fresh look at your lifestyle.

Beqiri: Sot në Këshill nuk propozohet kandidati për Kryeminister

Sekretari i LDK-së Ismet Beqiri ka treguar se me shumë gjasë sot LDK-ja nuk do ta bëjë nominimin e kandidatit të saj për Kryeminister.

Derisa partitë tjera politike tashmë kanë bërë koalicione parazgjedhore dhe kanë shpallë kandidaturat e tyre për postin e kryeministrit, me LDK’në e Isa Mustafës ende nuk dihet se çfarë do të ndodh, duke qenë se ende nuk është përcaktuar as për koalicion e as për atë se kush do të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër.

Një gjë e tillë nuk pritet të ndodh as sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së që fllon në orën 17 e 30 , e nga ku do të caktohet vetëm Kryesia e re e LDK’së.

Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar zyrtari i kësaj partie, Ismet Beqiri, i cili ka thënë se nuk e di me saktësi nëse do të diskutohet për çështjen e mandatarit dhe për punën e një koalicioni të mundshëm parazgjedhor.

“Sot në rend të ditës janë dy pika. Është informimi, gjegjësisht analiza e shkurt që do ta kenë anëtarët e Këshillit për zgjedhjet e fundit lokale dhe nacionale, dhe perceptimi për LDK’në aktuale dhe do të jetë pika e dytë, zgjedhja e Kryesisë së re si organ ekzekutiv”.

Ai thotë se LDK’ja parimisht dëshiron që të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërkohë shprehet se nga takimi i sotëm i strukturave të LDK’së nuk do të merret ndonjë vendim për mandatar dhe koalicion.

“Sa i përket koalicionit apo koalicioneve të mundshme më ndonjë subjekt tjetër politik,  qëndrimi parimor i LDK’së tash për tash është që të shkojmë vetëm, por që për ketë temë sot nuk është në rend të ditës, nuk mund të them se a do të hapet si temë apo jo. Por që nuk do të vendoset për këtë jam i sigurt rreth koalicioneve, sikundër që nuk do të vendoset sot për mandatarin, apo të nominuarin e LDK’së për kryeministër”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth një takimi të mundshëm ndërmjet liderit të LDK’së, Isa Mustafës, dhe kreut të VV’së, Albin Kurtit, Beqiri ka thënë se nuk ka informacione se është caktuar ndonjë takim, duke shtuar se mbetet të shihet në ditët në vijim.

“Për takime të tjera me subjekte tjera, përfshirë edhe VV”në, një herë për një herë  nuk kam ndonjë informacion që është aranzhuar ndonjë takim, konkretisht i z.Mustafa me Albin Kurtin. Mbetet të shihet në ditët në vijim”, ka përfunduar ish-deputeti i LDK’së.

Deri më tani koalicione parazgjedhore kanë nënshkruar AAK-ja e Haradinajt me PSD-në e Shpend Ahmetit,  dhe NISMA e Fatmir Limajt me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë zhvilluar disa takime radhazi, megjithatë ende nuk dihet nëse do të gjejnë gjuhë të përbashkët për mandatarin për kryeministër, e vetmja pikë për të cilët nuk po gjejnë pajtim dy partitë që në legjislaturën e VI-të kanë bërë opozitarizëm.

/GazetaPremium