Take a fresh look at your lifestyle.

Zbardhet “kofer diplomacia” e Serbisë në Afrikë

Një hulumtim i bërë në Afrikën Qendrore ka konfirmuar raportimet e “Kohës Ditore” për korrupsionin, si mjet kryesor që Serbia e ka përdorur në fushatën për revokimin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga disa vende afrikane.

Mediat në këtë shtet kanë raportuar se kryediplomatja e këtij vendi, Sylvie Baipo Temon, në këmbim të 305 mijë eurove kishte nënshkruar një letër për çnjohjen e Kosovës, pa u konsultuar me kryeministrin dhe pa vendosur për këtë Qeveria, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas CNC, një medium i këtij vendi, pas një hulumtimi është gjetur se në mesin e muajit korrik ministrja Temon e kishte takuar në Francë një këshilltar të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Iviça Daçiq.

Këshilltari identifikohet aty vetëm me nofkën “Vlad”. Për të është theksuar të jetë emisar sekret i Daçiqit, i ngarkuar me detyrë në Afrikë, për të lobuar kundër Kosovës, duke i korruptuar zyrtarët që janë të gatshëm për t’u korruptuar me para të majme, njofton Koha Net.

Mbështetur në këtë medium, “Vlad” i kishte ofruar ministres Temon 200 milionë franga të Afrikës Qendrore, që bëjnë rreth 305 mijë euro. Vetëm pak kohë pas kësaj, përpara medieve në Beograd, Daçiqi e kishte prezantuar letrën e çnjohjes.

Kujtojmë që Seribia ka një kohë të gjatë që ka filluar një lobim për çnjohjet në dëmë të Kosovës, ku sipas politikes në Beograd Kosovës i janë larguar disa njohje, por këtë gjë të tillë e ka mohuar vazhdimisht Ministria e Jashtme e Kosovës që udhëhiqej nga Behxhet Pacolli.

/GazetaPremium