Take a fresh look at your lifestyle.

“Mercenar i Ramës”, Alfred Lela: Basha ka trashëguar kulturën neo-komuniste

Në një qarkore të publikuar në media dhe që pretendohet se ka dalë nga Partia Demokratike sulmohen disa prej gazetarëve të njohur në Shqipëri, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë apo mercenarë të kryeministrit Edi Rama.

Alfred Lela dhe portali i drejtuar prej tij ishte njëri prej “mercenarëve” të qarkores, ndonëse nuk përmendej specifikisht me emër. Analisti ishte i ftuar sot në emisionin “Top Shoë” në Top Channel dhe komentoi përplasjen me Lulzim Bashën, të cilin e akuzoi për kulturë neo-komuniste.

“Është kultura komuniste, e kthyer në kulturën neo-komuniste që e trashëgon edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha. Është qesharake në fakt, është shqetësuese edhe nuk i kuptoj këta njerëz, edhe vetë zotin Basha, që ka këtë iluzionin se njerëzit duhet të jenë luajal me të dhe ata nuk duhet të jenë luajalë me njerëzit”, u shpreh Lela.

“Unë publiksht zgjedh ta mbështes Bashën dhe publikisht zgjedh ta kritikojë Bashën”, shtoi ai.

I pyetur nëse e ka patur ndonjëherë statusin e këshilltarit të Bashës, Lela tha: “Nuk e kam patur asnjëherë, nuk më është kërkuar asnjëherë dhe nuk e kam dashur asnjëherë. Kam patur akses dhe një lidhje që mund të konsiderohet deri dikur miqësore.”

Alfred Lela e konsideroi mbështetjen që i ka dhënë Lulzim Bashës si analist si një “partneritet publik” dhe këtë nuk e ka fshehur asnjëherë. Por ai theksoi gjithashtu se mbështetjen ia ka dhënë Bashës vetëm për faktin se është kryetar i Partisë Demorkatike.

“Bashën e kemi dashur se është kryetari i PD-së, jo se është Basha, dhe këtu hyn kompleksi i Zotit”, tha Lela.

“Zoti Basha nuk duhet të mendojë se është PD-ja, Enver Hoxha mendonte se ishte Partia e Punës, t’i japim fund kësaj”, theksoi Alfred Lela.

/GazetaPremium