Take a fresh look at your lifestyle.

Maas: BE’ja do t’i përmbushë detyrimet ndaj Turqisë

Gjermania rikonfirmoi përkushtimin e saj ndaj marrëveshjes për emigrantët mes Turqisë dhe Bashkimit Europian (BE), në një kohë kur ekziston frika për një valë të re të refugjatëve për shkak të sulmeve të regjimit sirian në rajonin veriperëndimor të Idlibit.

Duke folur gjatë një konference për media në Berlin, ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, shprehu shqetësimet për zhvillimet e fundit dhe numrin në rritje të kalimeve në detin Egje gjatë muajve të fundit.

“Kam diskutuar këto çështje në një bisedë telefonike me homologun tim turk, Mevlut Çavuşoglu gjatë kësaj jave. Edhe një herë kam theksuar se BE do të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes për emigrantët mes BE-së dhe Turqisë”, theksoi ai duke shtuar se pret që Turqia gjithashtu të vazhdojë të përmbushjen e detyrimeve të saj.

“Ka qenë një diskutim konstruktiv. Kështu që besoj se situata hap pas hapi do të qetësohet dhe do të normalizohet sërish”, shtoi ai.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, muajin e kaluar rreth 8 100 refugjatë dhe emigrantë arritën në ishujt grekë.

Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, më shumë se 856 000 persona kanë kaluar Detin Egje, kryesisht refugjatë nga Siria dhe Iraku.

Javën e kaluar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi për një fluks të ri të mundshëm të refugjatëve nga Idlibi i Sirisë, dhe i bëri thirrje BE-së që të ndërmarrë masa për të ndarë barrën.

/GazetaPremium