Take a fresh look at your lifestyle.

Më 7 nëntor – takimi i fundit mes grupeve punuese të LDK-së dhe LVV-së

LDK-ja dhe LVV-ja janë duke i vazhduar diskutimet në kuadër të grupeve punuese, por krerët e këtyre dy subjekteve nuk janë takuar prej 10 tetorit. Deri tash palët janë dakorduar vetëm për zvogëlim të numrit të ministrive dhe për disa çështje ekonomike. Si rrjedhojë e kësaj vlerësohet se LDK-LVV janë duke ecur ngadalë drejt harmonizimit të programit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Grupet punuese të dy partive, të cilat janë caktuar për harmonizim të programeve, kanë zhvilluar takimin e tretë para dy ditësh.

Teksa ka treguar se kur do të përfundojnë takimet e grupeve punuese, Arbërie Nagavci, nga LVV-ja, ka thënë se mes dy partive është arritur një harmonizim i konsiderueshëm i qëndrimeve.

“Deri më tani ka pasur një përafrim të konsiderueshëm për çështjet e rëndësishme, ka pasur një dakordim për numrin e ministrive dhe për disa çështje. Janë planifikuar gjithsej katër takime të grupeve punuese, presim që më datën 7 nëntor të përfundojnë tërësisht këto takime të grupeve, pastaj do të ketë një finalizim të marrëveshjes në mes kryetarit Kurti dhe atij Mustafa”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kujtojmë që ditë më parë Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ditë më parë kishte deklaruar se, vendimin për bashkëqeverisje në mes LDK-së dhe VV-së do ta marrin organet përgjegjëse të të dy subjekteve.

/GazetaPremium