Take a fresh look at your lifestyle.

Kryeredaktorja: LDK ka bazë logjike, asaj i takon Presidenti i vendit

Kryeredaktorja e gazetës nacionale “Bota Sot”, argumenton se pse LDK-së i duhet Kryetari i Shtetit.

NGA MIMOZË LAKNA

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, akoma s`po arrijnë që ta gjejnë formulën e duhur, e cila do të qonte në një koalicion qeverisës të mirëfilltë, të cilin qytetarët e Kosovës po e presin me padurim.

Zgjedhjet e 6 tetorit ia dhanë mundësinë Lëvizjes Vetëvendosje që të ketë postin e kryeministrit. Por, sistemi kushtetues në Kosovë është i tillë që ia pamundëson partisë fituese formimin e qeverisë vetëm, pa partner koalicioni.

U mendua, u shpresua e madje edhe u premtua se të hënën do të ketë marrëveshje të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

LDK po kërkon që pjesë e marrëveshjes me VV-në të jetë edhe posti i Presidentit të ri, që pritet të zgjidhet në vitin 2021.

Kjo kërkesë e LDK-së po kritikohet nga qarqe të ndryshme, sikur ajo të kërkonte diçka të re të paarritshme.

LDK, po kryqëzohet vetëm pse po bën një kërkesë shumë legjitime, me të drejtën që ia dha votuesi.

Kjo vetëm po e dëshmon luftën e egër që përherë është zhvilluar ndaj partisë së ish Presidentit Rugova, ndonëse e njëjta për hir të proceseve në të mirë të vendit, ka qenë e para që ka sakrifikuar dhe ka lëshuar pe.

LDK u kryqëzua e nga struktura brenda saj, pse kishte votuar Hashum Thaçin për postin e kryeministrit. Edhe kur arriti koalicion me PDK-në ishte partia e dytë. Mori Kryeministrin dhe dha Presidentin. Sado i dhimbshëm, ky kompromis ndodhi ashtu siç e kërkon kultura e negocimit të marrëveshjeve.

E një marrëveshje të tillë po kërkon ta bëj edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, madje duke harruar që anëtarë e simpatizantë të saj, të nxitur nga krerët e saj, e luftuan deri në tentim vrasje. Kujtoni rastin kur ia sulmuan shtëpinë Isa Mustafës, e rastin tjetër kur rrugën nga do të kalonte ai me makinë ia shtruan me mjete të rrezikshme, duke ia rrezikuar jetën.

T`i kthehemi aktualitetit. Ka një mori arsyesh se përse LDK duhet ta ketë postin e Presidentit në marrëveshjen me Vetëvendosjen.

LDK ka vetëm një deputet më pak se Vetëvendosje, dhe si e tillë ka mbështetje qytetare thuajse baras me të, përjashto votën e diasporës e cila e bën dallimin e një deputeti. Çka do të thotë se me vota të brendshme të qytetarëve që jetojnë në Kosove janë gati baras.

Nga ana tjetër, pozita e Kryeministrit bazuar në fuqinë kushtetuese është pozitë e cila ka peshën e më shumë se një ministrie, për më tepër çdo vendim zhvillimor kalon nëpër duart e Kryeministrit dhe duke e ditur këtë kërkesa e LDK-së për Presidentin është legjitime.

Kjo pasi është e nevojshme që të baraspeshohet pushteti në përputhshmëri me numrin e votave dhe numrin e deputetëve.

Siç e thamë edhe më lart, LDK nuk është dëshmuar asnjëherë si subjekt jo-bashkëpunues. Ka pasur raste kur e ka lëshuar pozitën e Kryeministrit edhe atëherë kur i ka pasur mbi 40% të votave. Rrjedhimisht VV nuk mund të sillet sikur të ketë pushtet absolut, sepse ne fakt ka vetëm një deputet më tepër dhe vetëm 1% më tepër se LDK.”

/GazetaPremium