Take a fresh look at your lifestyle.

Qendrat mësimore për komunitete rrezikojnë të mbyllen për shkak të mjeteve financiare

Viti 2020 rrezikon t’i gjejë të mbyllura qendrat mësimore në të cilat tash e 12 vite kanë mësuar fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Kjo qendër e mësimit, është bërë shtëpi e dytë për këta nxënës.

Por, fillimi i vitit 2020 rrezikon t’i gjejë të mbyllura këto qendra mësimore.

E kjo gjë po shqetëson shumë nxënësit e komunitetit rom, ashkali , egjiptian, të cilët që 12 vite kanë vijuar mësimin në këto qendra.

“Jam në klasën e dytë, vij që tri vjet në këtë qendër, kam qenë edhe parashkollorë. Alfabetin, i bëjmë detyrat. Nuk kam qejf me u mbyll kjo qendër se unë mësoj gjëra të reja”, ka thënë nxënësja Medina Krasniqi.

E për mbylljen e kësaj qendre mësimore po merakosen edhe prindërit.

Nëna e Medinës, Shpresa Krasniqi thotë se nëse kjo qendër mbyllet vajza e saj do të mbetet pa marrë mësimet e duhura, kjo pasi vajza e saj por edhe fëmijët tjerë të këtij komuniteti, nuk gëzojnë shumë përkrahje.

 “Unë shkollë nuk kom, burri shkollë nuk ka, unë këtu e mësoj, nuk kom qejf me u mbyll qendra. Qitu më shumë e kanë mësuar, edhe në shkollë të madhe, por si këtu jo… nëse mbyllet vallahi keq po na vjen, se nuk ka kush ma mëson çikën”, ka thënë Shpresa Krasniqi.

E arsyeja pse qendrat po rrezikojnë të mbyllen, ka të bëjë me mungesën e mjeteve.
Donatorët Evropian që kanë përkrahur deri tani këtë qendër, kanë vendosur të tërhiqen.

Muhamet Arifi, drejtor i Qendrave Mësimore bëri kërkesë publike që institucionet e Kosovës ti mbështesin këto programe.

“Është mëkat që për neglizhencë të dikujt këto 500 mijë euro po humbin, po kthehen mbrapa në qeveri, e qendrat mësimore në janar ekziston rreziku i madh që me u mbyll për shkak të mjeteve financiare”, ka thënë Muhamet Arifi.

E Arifi  shqetësim tjetër ka se me mbylljen e qendrës do të rritet numri i rasteve të braktisjes së shkollës.

Ndërkaq, Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani thotë se këto qendra mësimore kanë përkrahjen e Komunës, megjithatë thotë se kjo çështje i takon Qeverisë së Kosovës.

 “Por, sa i përket ndihmave më tepër kujtoj që është çështje e Qeverisë, mendoj që në këtë aspekt duhet të ndihmojë Qeveria. Sepse është një problem që i takon edhe qeverisë të merret me çështjen e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë’’, ka thënë Islam Shabani

E një qendër në Fushë Kosovë tani veçse është mbyllur, kjo për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Madje, tashmë është kthyer në një vend për hedhje të mbeturinave

Ndërkohë, MAShT, nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me këtë, ndërsa Ministria e Financave ia ka hedhur përgjegjësitë kësaj të fundit.
E, derisa këto dy dikastere të marrin përgjegjësitë që kanë, Medina Krasniqi e shumë fëmijë të do të mbesin pa  mësim plotësues, qysh në fillim të vitit të ardhshëm.

/GazetaPremium