Take a fresh look at your lifestyle.

Kosnett lavdëron monitorimin e GLPS në rastin “Pronto”: Roli i shoqërisë civile, për t’u admiruar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka lavdëruar punën e Grupit për Studime Juridike e Politike në Kosovë, për monitorimin që po i bën sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kosnett ka shkruar në Twitter se ky është një shembull i përsosur për rolin që luan shoqëria civile për të bërë presion që zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse të jenë të më të përgjegjshme.

Ambasadori i SHBA-së ka marrë shembull raportimin e GLPS-së për mënyrën se si është trajtuar rasti “Pronto”, i cili u cilësua si dështim i sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Më vjen mirë të shoh GLPS Kosova që po monitoron sistemin juridik. Shembull i përsosur i rolit që luan shoqëria civile për të bërë presion që zyrtarët e zgjedhur dhe institucionet të jenë më të përgjegjshëm”, shkruan Kosnett.


Ngritja e aktakuzës prillin e vitit 2018, pasoi një periudhë të gjatë hetimesh që fillesat i patën gushtin e 2016-tës ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike, Adem Grabovci. Hetimet nisën pas publikimit të përgjimeve nga bisedat ku shfaqej ndikimi i ushtruar nga Grabovci e zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Sipas Rreze Hoxhës, nga GLPS, mënyra e trajtimit të rastit “Pronto” paraqet dështimin më të madh të siostemit të drejtësisë në vitin e kaluar.

“Mënyra e trajtimit të rastit “Pronto”, paraqet dështimin më të madh te sistemit të drejtësisë në vitin e kaluar, e me theks të veçantë atë prokurorial, i cili ka dështuar në ndjekjen e krimit dhe përfaqësimin e interesit publik me anë të së cilës nuk janë ndëshkuar dukuri si nepotizmi, korrupsioni, punësimet partiake”, shprehet Rreze Hoxha.

/GazetaPremium