Take a fresh look at your lifestyle.

Kosova ndan fonde për koalicionin kundër Shtetit Islamik

Qeveria në largim e Kosovës, vendosi të premten të ndajë 250 mijë euro, (afërsisht 277 mijë dollarë) për koalicionin ndërkombëtar kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj tha pas mbledhjes së qeverisë se “nga ky veprim jo vetëm që forcohen veprimet në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit por edhe forcohet pozicioni i Republikës së Kosovës, si shtet i përkushtuar në luftimin e terrorizmit global”.

Ai theksoi se Kosova “është rreshtuar përkrah SHBA-ve në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë për të gjithë popujt paqedashës dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në luftimin e propagandës, ndjekjen dhe dënimin e luftëtarëve të huaj terrorist, mbylljen e organizatave jo-qeveritare të cilat merreshin me financim dhe me përhapjen e propagandës, e që një pjesë e tyre financoheshin drejtpërdrejtë nga Irani, si dhe parandalimin e akteve terroriste brenda dhe jashtë vendit”.

Ambasada amerikane në Prishtinë duke i bërë jehonë vendimit të qeverisë, falënderoi Kosovën “për mbështetjen e palëkundur dhe anëtarësimin në koalicionin për të mposhtur ISIS-in”.

Edhe në vitin 2017 Kosova kishte ndarë 100 mijë euro në mbështetje të koalicionit pjesë e të cilit ajo është që nga viti 2014.

“Fatkeqësisht edhe Kosova është prekur nga kjo luftë, ku disa qytetarë kanë shkuar atje. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë koalicion, ne i kryejmë obligimet. Kosova është e gatshme të kryej obligimin ushtarak, policor, inteligjencës e obligime logjistike ndaj këtij koalicioni”, tha zoti Haradinaj.

Që nga viti 2012 afro 400 qytetarë të Kosovës ishin përfshirë në luftërat në Siri e Irak dhe një pjesë e tyre luftuan përkrah grupit militant Shteti Islamik. Disa dhjetëra kanë humbur jetën në ato luftëra, ndërsa nëpër vite mbi 120 janë kthyer prej andej vullnetarisht.

/GazetaPremium