Take a fresh look at your lifestyle.

Vrasja e dëshmitarit të Tribunalit – prokuroria s’jep detaje, veteranët s’besojnë se është likuiduar për shkak të dëshmisë

Një ditë pas publikimit të lajmit se roja i pyllit Nazmi Rrustemi, që u vra më 18 dhjetor në rrethana të pasqaruara afër Liqenit të Badocit, ka qenë dëshmitar i Tribunalit Special, Gazeta Express ka kontaktuar Prokurorinë e Shtetit. Ky institucion nuk ka dhënë detaje se a është duke i trajtuar deklaratat e gruas së të ndjerit që vrasjen e ndërlidh me dëshminë e burrit të saj në EULEX. Në Organizatën e Veteranëve të Luftës nuk besojnë se Rrustemi mund të jetë vrarë për shkak të dëshmisë së tij në Speciale. Fondi për të Drejtën Humanitare kërkon që shteti t’u ofrojë mbrojtje dëshmitarëve. 

Gentiana HASANI

Ende po presin njerëz të cilët po i ngushëllojnë për vdekjen e kryefamiljarit të tyre. Nazmi Rrustemi u vra në mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit të kaluar. Por, as pas një muaji familja e të ndjerit nuk e di se kush e vrau kryefamiljarin e tyre.

Në një deklaratë për T7, gruaja e të ndjerit, ka thënë se para tre muajve ai ishte intervistuar nga hetues të EULEX’it në cilësinë e dëshmitarit. Madje bashkëshortja Elmaze Rrustemi thotë se gjatë luftës Nazmiu ishte marrë peng nga UÇK-ja.

“Ka thanë më kanë thirrë në EULEX edhe u shku, kur erdh i thashë çka u bo?, tha sen, mirë është puna edhe kurgjo. Mbas mrami qytu në EULEX u kanë”, thotë gruaja e tij.

Por, me deklaratat e gruas së viktimës nuk po pajtohen në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK’së. Nasim Haradinaj nga kjo Organizatë, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nuk beson që Nazmi Rrustemi u vra se ka dëshmuar në Tribunalin Special por për shkak të punës që ai e bënte në pyll.

“Unë s’po besoj që dikush ka mundur që ta vras atë person për shkak të dëshmisë që e ka dhënë në Tribunalin Special. Thjeshtë është e pamundur. Më e logjikshme  është që ai është vra si rojë pyllit. Ka ndodhur shumë herë që hajnat kanë gjuajtur në drejtim të rojeve të pyllit. Thjeshtë nuk mund të ndodhë që një dëshmitar të vritet. Mund të ketë arsye të tjera për vrasjen e tij”, ka deklaruar Haradinaj.

Por, në Prokurorinë e Shtetit për Express nuk kanë deklaruar se deri ku i kanë çuar hetimet rreth këtij rasti, apo nëse e kanë intervistuar ndonjë person të dyshuar për vrasjen e tij. Ata nuk kanë treguar madje as nëse janë duke u marrë me deklaratat e gruas të së ndjerit e cila tha se burrin kanë mundur t’ia kenë vrarë për shkak të dëshmisë së tij në Speciale. Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës janë mjaftuar me një përgjigje rutinore se po i vazhdojnë hetimet.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ ju konfirmojmë se janë duke u zhvilluar të gjitha hetimet për ndriçimin e rastit në fjalë. Çdo informatë tjetër mund ta dëmtoj procesin hetimor, prandaj, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë së Themelores në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Mbrojtje për dëshmitarët ndërkaq po kërkon Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Ai i ka thënë Gazetës Express se i takon Prokurorisë të vendos nëse një dëshmitari i ofrohet mbrojtje apo jo.

Megjithatë bashkëshortja e të ndjerit kërkon nga organet e rendit që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.

“Shumë po shkon ngadalë, informata s’kena marrë sen deri tash, po qef kina pas me u kry kjo punë me dit qysh e tek po thonë kanale nihëre. Neve nuk na ka tregu sen, unë nuk di burri jem që ka pas problem sen e shteti duhet me ditë  se ata merren me këto sene. Po kërkojmë që me u zbardhë qysh tek se na s’po dimë kurgjo as nuk ka thanë që jam rrokë me dikë, as hiç s’ka fol”, ka deklaruar tutje gruaja e të ndjerit.

Ndryshe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ma anë të një e -maili nuk kanë dashur që të japin detaje se nëse i ndjeri Nazmi Rrustemi është marrë në pyetje si dëshmitar.

Në një përgjigje me shkrim nga ky organ i drejtësisë kanë thënë që nuk mund të komentojnë hetimet e Prokurorisë për arsye profesionale, etike dhe ligjore.

E Nazmi Rrustemi është gjetur i vdekur afër Liqenit të Badovcit me datë 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Ai që disa vite e kishte ushtruar këtë profesion.

/GazetaPremium