Take a fresh look at your lifestyle.

Mustafa jep ultimatum për Kurtin: Nëse nuk ka koalicion VV-LDK, duhet të gjejë zgjidhje tjetër

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë ultimatum për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,  duke thënë se ky i fundit duhet të gjejë zgjidhje tjetër nëse nuk i pranon kërkesat e partisë së dytë. Mustafa bëri të ditur se nuk do të ketë takime të tjera me Albin Kurtin, nëse nuk ka pajtim për arritjen e një marrëveshjeje, transmeton Gazeta Metro.

Në një deklaratë dhënë RTV21, Mustafa tha se opsioni i LDK’së ishte formimi i koalicionit, mirëpo sipas tij, nëse nuk arrihet ky koalicion, Vetëvendosje duhet të ketë zgjidhje tjetër. “A do të ketë takim apo jo varet se sa do të jetë gatishmëria për të bërë marrëveshje, unë nuk jam që të ketë takime sa për t’u takur, por atë që të ketë takim që ta lidhim marrëveshjen. Për gjëra tjera jemi shprehur qartë në organet tona. Ne kemi pas opsion këtë koalicion dhe mbesim pranë këtij koalicioni, nëse bëhet mirë, nëse jo Vetëvendosje duhet te gjejë zgjidhje tjetër”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, nga të dyja partitë nuk është bërë ende e ditur nëse do të ketë takim të radhës për bisedime rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Ose do të ketë takim përfundimtar ose s’shkojmë në tavolinë për të treguar se s’jemi pajtuar”, ka thënë një zyrtar i LDK’së që s’ka dashur t’i përmendet emri.
Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria. /gazetametro.net